Ndodh në Kosovë/ Liria prezanton trajnerin e ri, largohet pas 24 orësh: Kishte keqkuptim

Çudirat në futbollin shqiptar dhe atë të Kosovës nuk kanë të sosur dhe tashmë kemi të bëjmë me një çudi që ka ndodhur te klubi i Lirisë së Prizrenit, ish-skuadra e Bledi Shkëmbit sezonin e kaluar. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, klubi nga Prizreni njoftoi për arritjen e akordit dhe prezantimin e trajnerit të portierëve, Bujar Thaqi.

Ky i fundit, punonte më parë si trajner me fëmijët te skuadra Albionët. Ai zuri te Liria e Prizrenit vendin e Blerim Zherkës, por aventura në Prizren i ka zgjatur vetëm 24 orë. Ka qenë vetë Bujari, ai i cili nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka njoftuar largimin nga klubi prizrenas dhe shkak për këtë, është bërë një keqkuptim.

“Unë nuk jam pjesë e FC Liria, pasi pati një keqkuptim me anëtarët e kryesisë së Lirisë. Unë jam pjesë e klubit tim FC Albionët dhe do të vazhdoj punën time me fëmijët. U kërkoj falje të gjithë atyre që më duan mua si sportist dhe si Bujar Thaqi”, shkruante ky i fundit në ‘Facebook’. /Erjon Allaraj-VipSport.al/