Ndarja nga jeta e Jankut, Partizani dhe FSHF shprehin ngushëllimet e tyre

Sporti shqiptar mori sot një lajm të trishtë, duke qenë se ish-portieri i Kombëtares dhe Partizanit njëkohësisht, Mikel Janku ka ndërruar jetë, duke lënë pas kujtimet, medaljet dhe trofetë e fituar me fanellën e Partizanit. Ish-gardiani shqiptar, ka qenë një nga më të spikaturit në kohën e tij, megjithëse aventura si me Kombëtaren, ashtu edhe me Partizanin, nuk ka zgjatur shumë.

Për ndarjen nga jeta të Jankut, kanë shprehur ngushëllimet e tyre edhe Federata Shqiptare e Futbollit dhe klubi i Partizanit që e konsiderojnë një humbje të madhe për futbollin shqiptar.

Ngushëllimi nga FSHF:

“Sot, pas një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare ish-portieri i Kombëtares dhe i Partizanit, një prej figurave më të mëdha të futbollit shqiptar, Mikel Janku. Ai ka qenë një ndër figurat më të spikatura të futbollit shqiptar në vitet 60-të. Pas largimit nga futbolli i luajtur, Janku ka qënë drejtues i klubit Partizani. Nga viti 1992 është përkushtuar në rolin e opinionistit në shumë emisione sportive dhe ka punuar për një periudhë të gjatë kohe si gazetar pranë gazetës Sport Ekspres. Mikel Janku është nderuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me titullin “Nderi i Futbollit Shqiptar”, shkruan FSHF

Ngushëllimi nga Partizani:

Sot është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare ish-portieri i Partizanit dhe ekipit tonë kombëtar Mikel Janku, një ndër figurat më të spikatura të futbollit shqiptar dhe Klubit Partizani në vitet 60-të.

FK Partizani shpreh dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Janku dhe të afërmve të tij për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Janku kampion dhe fitues i kupave me Partizanin ka mbrojtur portën e të kuqve dhe ekipit tonë përfaqësues në periudhën 1962 – 1969. Pas largimit nga futbolli i luajtur, Janku ka qenë drejtues i klubit Partizani. Nga viti 1992 ai është përkushtuar në rolin e opinionistit në shumë emisione sportive dhe ka punuar për një periudhë të gjatë kohe si gazetar sportiv.

Në 70 vjetorin e themelimit Klubi i Futbollit Partizani i akordoi Mikel Jankut “Medalje të Meritës” , ndërsa Federata e Futbollit e ka vlerësuar me titullin “Nderi i Futbollit Shqiptar”.
U PREHSH NË PAQE LEGJENDA E KUQE MIKEL JANKU!”,
shkruan klubi i Partizanit. /VipSport.al/