Murinjo i “shkel syrin” Realit: Nëse kthehesh, do të thotë që ke lënë përshtypje

Zhoze Murinjo nuk ka ndër mend që të kthehet te Benfika, por i ka hapur rrugë një kthimi të mundshëm te Real Madrid, ku emri i tij qarkullon gjithnjë e më shumë. Në një interviste për “CMTV”, ai fillimisht iu përgjigj pyetjeve për një kthim të tij në vendlindje dhe bëri të qartë se për momentin as e mendonte Portugalinë si opsion.

“Nuk kam as qëllimin më të vogël që të kthehem në Portugali. Nuk më kanë bërë asnjë ofertë, por do i thosha edhe presidentit të Benfikës të njëjtën gjë. Sot për sot, nuk kam si qëllim të punoj në Portugali. Jam mirë kështu siç jam, aktualisht nuk jam një nga opsionet për stolin e Benfikës”, tha ai, duke iu përgjigjur më pas zërave për Realin, por duke sqaruar se nuk e bënte këtë për të shtuar spekulimet.

“Kur një lojtar apo një trajner kthehet, do të thotë që ka bërë diçka pozitive. Këtë e ndjeva te Çelsi. Kur një profesionisti i ofrohet mundësia të kthehet në një klub, është një nder shumë i madh. Ky nuk është një bast i vënë me sy mbyllur, kur klubet punësojnë lojtarë apo trajnerë të cilët kanë qenë më parë atje, pasi oferta bëhet se njihet vlera e atij personi”, tha portugezi duke lënë të kuptohet se zërat që kanë dalë nga Madridi kanë qenë sepse ai ka bërë punë të mirë atje. /vipsport.al/