Momente paniku në stërvitjen e Lampard, policia arreston një person të dyshimtë

Legjenda e Çelsit, Frank Lampard që tashmë drejton skuadrën e Derbit, ka kaluar një moment aspak të mirë në stërvitjen e fundit para ndeshjes që skuadra e tij ka ndaj Lidsit. Në momentin që po zhvillohej stërvitja, zyrtarët kanë parë një person të dyshimtë pak metra larg fushave të stërvitjes, që po bënte veprime të çuditshme.

Menjëherë, ata kanë njoftuar policinë dhe ndërkohë që është ndërprerë edhe stërvitja, policia ka mbërritur, duke bërë të mundur arrestimin e personit të dyshimtë, emri i të cilit nuk është bërë ende i ditur. Sipas ‘Daily Mail’, nga hetimet e para të policisë, është vënë re se e gjitha kjo ka qenë një skemë për të spiunuar dhe se nuk ka asnjë rrezik për jetën e futbollistëve.

Ata tregojnë se personi në fjalë kishte një palë dylbi dhe mendohet që të jetë dërguar nga drejtues të Lidsit për të parë stërvitjen e fundit para ndeshjes dhe për të dhënë informacion te klubi kundërshtar. Megjithatë, personi po mbahet në komisariat dhe do të ketë një hetim më të detajuar për të, që përveç dylbive, me vete mbante edhe rroba për t’u ndërruar dhe një palë pinca. /Erjon Allaraj-VipSport.al/