Mezani i thotë të gjitha: Hetimi i UEFA-s, kushtet e stërvitjes dhe largimi

Luftëtari nuk po kalon një moment të mirë në këtë kampionat dhe së fundmi, futbollistët nuk po arrijnë as të stërviten për shkak të kushteve të rënduara atmosferike dhe reshjeve të dëborës. Trajneri i gjirokastriteve, Gentian Mezani ka folur për ‘RTSH Sport’ në lidhje me këtë situatë të krijuar në kampin bluzi, ndërkohë që hedh poshtë mundësinë e largimit nga Luftëtari.

“Situata? Terreni i vështirë dhe situata në Gjirokastër nuk na ka mundësuar kushtet siç duhen ose nevojiten për një skuadër profesione gjatë një faze përgatitore. Ne do të vazhdojmë këtu dhe kemi marrë këtë konfirmim. Gjërat janë të vështira dhe nuk kemi realizuar atë që duhet, pasi minimalisht duhej dyfishi i seancave që kemi realizuar.

Deri më tani jemi stërvitur në palestër dhe fushë sporti, por futbolli nuk luhet në fushë basketbolli. E shoh të vështirë, por shpresoj të bëhet mirë në vijim.

Rroca-Shkurtaj? Janë larguar 2 lojtarë kryesorë dhe është afruar vetëm Fili. Mendoj se do të na ndihmojë por duhen përforcime në sulm dhe na mungon pasimi final, gjë që e kemi vuajtur edhe kur Rroca ishte i dëmtuar. Shpresoj që shumë shpejtë ato 2-3 afrime që kam kërkuar në rolet ku kemi probleme, të bashkohen me grupin për t’u ingranuar dhe për të parë gjendjen e tyre.

Pagat? Nuk dua të hyj te kjo pjesë pasi është diçka që nuk na intereson. Pagesat janë të rëndësishme,. Por kemi marrë konfirmim se gjërat do të jenë në rregull. Kjo nuk na tundon, por na tundojnë vetëm terrenet sportive.

Largimi? Vazhdimësia e një trajneri janë vetëm rezultatet. Kemi pasur probleme, por jo deri në atë pikë sa të vë në diskutim të ardhmen time. Terrenet dhe kjo fazë përgatitore do të influencojë në fillim të kampionatit, pasi ditët ikin dhe pastaj vihet në diskutim vazhdimësia.

Marrëdhëniet e mia me drejtuesit janë korrekte, siç është punëmarrës dhe punëdhënës. Kemi kontakte çdo ditë dhe janë marrëdhënie shumë të mira dhe korrekte.

Hetimi i UEFA-s? Nuk po preokupohemi pasi duam dhe duhet të bëjmë punën tonë më së miri. Nëse mendojmë atë, puna na vështirësohet vetvetiu”, u shpreh Mezani. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

more recommended stories