Mema paralajmëron: Kemi probleme kudo, pritni lojtarë të rinj këto ditë

Kthehet “retë” te Tirana dhe mjafton një humbje në miqësore përballë Laçit. Trajneri Ardian Mema ka qenë shumë i pakënaqur me lojtarët e tij dhe ka pranuar se duhet vënë dorë në çdo repart, edhe pse përforcimet vonojnë, ndërsa ata lojtarë që klubi ka synuar të afrojë, nuk kanë bindur.

“Kemi probleme në të gjithë repartet, nuk është se nuk kemi probleme. Por unë po ia vë më shumë fajin ngarkesës fizike se kemi bërë shumë stërvitje, paradite-pasdite dhe nuk kemi qenë të freskët. Ajo që më ka zhgënjyer është që lojtarët shkonin me vonesë për t’i bërë presion kundërshtarit, ishin gjithë kohën me vonesë. Laçi ishte shumë i më i freskët sesa ne nga çfrë u pa në ndeshje. Ndeshja ndaj Skënderbeut ishte ndryshe, ekipi titullar luajti topin dhe e mbajti më shumë.

Për përforcime në reparte nuk mund të flas se unë akoma po bëj stërvitje me këtë grup lojtarësh dhe realisht kam këtë grup e nuk mund të them gjë. Por që po shohim është e vërtetë, ka mundësi që këto ditë të kemi të rinj brenda ekipit. Ata që testuam nuk më kanë ngjitur, se duhet të bëjnë diferenca me ata që kemi. nuk kemi hequr dorë akoma se merkato nuk ka mbaruar. Të shohim në ditët në vazhdim nëse ka ndonjë gjë të re”, tha Mema.

Trajneri foli përsëri për Ngoo, por jo vetëm për sulmuesin anglez, duke përmendur faktin se lojtarët i kanë ardhur me vonesë në fazën përgatitore.

“Ai ka qenë faktor në ndeshjet e fundit që kemi bërë në kampionat, ka marrë topin, ka qenë para portës, ka krijuar raste e dhënë asist. Sot ishte një Ngoo tjetër. Stërvitja nuk ka qenë në kohën e duhur për të gjithë sportistët e disa kanë ardhur me vonesë. Ka qenë problem realisht. Aktivizimi sot i Muçës? E kam thënë edhe më parë, i duhet koha e nevojshme, siç i duhet çdokujt që vjen nga një traumë apo dëmtimet.

Është një fazë e tretë që fillon e është shumë e rëndësishme për ne. Do të bëjmë maksimumin për rezultatet e nevojshme. Por ne pasi vijmë pas ndeshjeve që humbasim kemi problemet tona”, deklaroi Mema sot para gazetarëve. /vipsport.al/

more recommended stories