Luftëtari në krizë dhe nën hetim, Fili: Na kanë siguruar drejtuesit

Realdo Fili shpreson që të gjejë përsëri vazhdimësinë që e ka humbur që kur u largua një vit më parë nga skuadra e Partizanit. Sulmuesi shkoi te Kamza e pastaj te Skënderbeu, por në asnjë prej këtyre ekipeve nuk arriti që të bënte diferencën dhe shpesh e pa veten të përfundonte në pankinë.

Lojtari ka zgjedhur që etapa e radhës e karrierës së tij të jetë në Gjirokastër, te Luftëtari, i cili pavarësisht problemeve të madha ekonomike e hetimit nga UEFA, duket se u ka dhënë garancinë lojtarëve për pagesat në këtë sezon.

“Ishte kërkesa e parë e drejtuesve, folën me menaxherin, më pëlqeu ideja. Mendoj se kisha nevojë të luaja sa më shumë, në fakt ishte diçka që më pëlqente personalisht pasi Luftëtari prodhon një futboll shumë të mirë. Drejtuesit më kanë siguruar që çdo gjë do të shkojë shumë mirë. Neve na takon të mendojmë vetëm të merremi me pjesën e fushës. Për pjesë të tjera janë drejtuesit që mendojnë për këtë”, tha ai për RTSH ku shpjegoi edhe arsyen pse vendosi të largohej nga një skuadër si Skënderbeu e cila luan për objektiva më të rëndësishëm.

“Qëlloi që nuk isha zgjedhje e preferuar ndaj mendova që të harxhoja më tepër kohë do të ishte e dëmshme për mua. Ndaj zgjidha të jem këtu, tani shpresoj që të kap formën time më të mirë, shpresoj që ekipi të ecë shumë mirë. Atmosfera është e mirë, djemtë janë të mirë, grupi është i  këndshëm, prodhojnë futboll. Shpresoj që të jem një vlerë e shtuar e këtij ekipi”, deklaroi sulmuesi 22-vjeçar. /vipsport.al/

more recommended stories