Largohet nga Hellas Verona, mbrojtësi shqiptar firmos te një tjetër klub italian

Merkatoja e janarit ka qenë mjaft aktive në Itali, sidomos te klubet modeste që kanë bërë disa transferime. Sakaq, merkatoja ka prekur edhe akademitë dhe ka shumë lëvizje në skuadrat e moshave. Një nga lojtarët e shumtë që kanë ndërruar skuadër, është edhe mbrojtësi shqiptar, Niko Lucaj.

Mbrojtësi 17-vjeçar që aktivizohej me të rinjtë e Hellas Veronas, ka ndryshuar skuadër duke firmosur me të rinjtë e Peruxhias. Ai do të synojë që te Peruxhia, të arrijë të fitojë më shumë minuta sesa te Verona, duke qenë se edhe niveli i skuadrës është më i dobët.

Gjatë kohës që ai aktivizohet me të rinjtë e Peruxhias, mund të synojë edhe hapin e madh drejt skuadrës së parë, duke qenë se edhe skuadra e parë që militon në Serinë B italiane, nuk është se po bën paraqitje dinjitoze. Te Hellas Verona, ai ka pasur shok skuadre edhe mbrojtësin Marash Kumbulla që tashmë grumbullohet dhe madje aktivizohet edhe me skuadrën e parë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/