Kukësi zyrtarizon miqësoren e radhës, përballë ekipit që ndryshoi Partizani

Pas dy miqësoreve të para në tokën turke, Kukësi do të luajë edhe miqësoren e tretë në Antalia dhe këtë radhë, përballë do të jetë skuadra e Shakhtar Karagandit. Ky takim, do të luhet në datën 14 janar dhe do t’i shërbejë Cungut për të mbajtur skuadrën e karikuar, para rikthimit në Shqipëri.

Pak ditë më parë, ishte Partizani ai i cili planifikoi një miqësore me kazakët, por në fund u ndryshua axhenda dhe të kuqtë, vendosën që të luanin një miqësore ndaj Dinamo Zagrebit.

“FK Kukësi do të zhvillojë ndeshjet e tretë miqësore ndaj FC Shakter Karagandy!

Drejtuesit e Klubit kanë vendosur të shfrytëzojnë të gjithë hapësirën e mundshme kohore për të zhvilluar ndeshjen e tretë miqësore, gjatë qëndrimit 12-ditor të ekipit në Antalia të Turqisë.

Këtë radhë, skuadra jonë do të zhvillojë ndeshjen miqësore përballë kazakëve të FC Shakter Karagandy, sfidë e cila do të luhet me datë 14 Janar 2019, ora 17:00 në “Wow Sport Center”, shkruhej në njoftimin e klubit verilindor. /Erjon Allaraj-VipSport.al/