Kalendari i Superiores/ Faza e tretë nis me një supersfidë dhe mbyllet në kryeqytet

Pas një pushimi disa javor, Kategoria Superiore do të rikthehet në javën e fundit të muajit janar dhe menjëherë do të nisë me një supersfidë. Është takimi që luhet në Korçë mes Skënderbeut dhe Partizanit, ai i cili do të rihapë Kategorinë Superiore në javën e parë të fazës së tretë, ose e thënë ndryshe, në ndeshjen e parë të gjysmës së dytë të kampionatit. Ky takim, do të luhet të premten e datës 25 janar.

Ndërkohë, të shtunën do të ketë dy takime të tjera, ku në orën 14:00, Kukësi pret skuadrën e Laçit, ndërkohë që në të njëjtën ditë, është Teuta ajo që zbret në fushë përballë Flamurtarit. Kujtojmë që të gjitha këto skuadra, janë pretendente për një vend në Kupat e Europës dhe pritet që të jenë takime mjaft interesante.

E diela do të sjellë edhe dy takime të tjera, pasi Luftëtari i Mezanit e nis në shtëpi fazën e tretë, duke pritur Kastriotin e vendit të fundit, ndërkohë që Bledar Devolli rikthehet si trajner në Superiore, pas aventurës së shkurtër me Kamzën. Java e 19 do të mbyllet në kryeqytet me takimin mes Tiranës dhe Kamzës. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

E premte, 25 janar
18:00 Skënderbeu-Partizani

E shtunë, 26 janar
14:00 Kukësi-Laçi
17:00 Teuta-Flamurtari

E diel, 27 janar
14:00 Luftëtari-Kastrioti
17:00 Tirana-Kamza