Ka “garë” në Itali për Edgar Çanin, e kërkon e gjithë Seria C

Ka shënuar vetëm 2 gola në 16 ndeshje me Vibonezen në Serinë C, por klubet e kësaj kategorie duket se të gjitha do të dëshironin të kishin në radhët e tyre Edgar Çanin, i cili është kthyer përsëri në epiqendër të merkatos. Sulmuesi nuk e sheh veten titullar të sigurt as në radhët e klubit të cilit iu bashkua pas Partizanit, ndaj nuk është aspak çudi që të ndërrojë skuadër që në merkaton e janarit.

Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, për të janë vënë në radhë disa klube italiane të cilat ëndërrojnë që të ngjiten në Serinë B, por u duhet pikërisht një përforcim me eksperiencë si Çani që t’u japë një shtysë më shumë.

Në garë janë Olbia, Arzakena, Teramo, Virtus Verona e së fundmi edhe Pistoieze. Sigurisht, asnjë nuk është nga emrat e elitës së futbollit italian. Por lojtari ka nevojë për një ekip ku të luajë rregullisht dhe të bëjë diferencën, për të fituar përsëri nuhatjen që ka humbur para portës dhe që e ka bërë të largohet pak nga pak nga futbolli i rëndësishëm. Ndaj nuk është çudi që ai t’i thotë “po” një prej ofertave që kanë mbërritur për të në këto ditë. /vipsport.al/