Jupi: Të rinjtë në Superiore aktivizohen nga kriza, dy vite më parë nuk luanin as në të Parën

Ish-trajneri i Shpresave, Redi Jupi, ka shpjeguar se kriza ekonomike në Superiore ka sjellë aktivizimin e futbollistëve të rinj më masivisht në klubet elitare. Në “Procesi Sportiv”, ai ka kujtuar se dy vite më parë, ishte e vështirë që të kishte lojtarë që të aktivizoheshin në elitën e futbollit shqiptar.

“Në fakt është fenomen shumë pozitiv e shpresëdhënës. Arsyet pse ka ardhur janë të ndryshme, ndoshta janë edhe vështirësitë financiare të klubeve. Do doja të ishte formalizimi i futbollit shqiptar por nuk e ka sjellë. Formalizimi kërkon që të ketë lojtarë të rinj vendas, para dy vitesh kishte vetëm Latifin dhe Shkallën që luanin, asnjë tjetër i U21 nuk aktivizohej në kampionatin tonë, edhe në Kategori të Parë kishte pak lojtarë. Tani ka një numër të madh lojtarësh, se dy vite më parë as nuk bëhej fjalë, ndaj është diçka shumë e mirë.

Niveli i kampionatit është aty, i qëndrueshëm. Meqë niveli nuk është ulur, futja e tyre tregon se është fenomen pozitiv, e gjithë kjo do strategji. Jo vetëm nga disa trajnerë apo ndonjë president, por një strategji të përgjithshme. Ka trajnerë të prirur për të rinjtë, por nuk mund ta mbajë i vetëm këtë barrë në kurriz, duke mbajtur peshën e rezultateve e aktivizimit. Sistemi ekonomik i qëndrueshëm bën të aktivizohen vazhdimisht

Të rinjtë kanë probleme në Superiore, se kanë mangësi, ata futbollin e mësojnë duke luajtur, duke kaluar vite e duke përmirësuar lojën e tyre kur arrijnë në moshën 20-vjeçare. Patjetër që kjo vjen nga vështirësia ekonomike. Nëse para disa vitesh pagesat edhe mund të mos i paguaje, tani kontratat është pak e vështirë të mos i paguash. Tani klubet ruhen që të firmosin kontrata e të mos i paguajnë, kemi shumë klube që kanë humbur gjyqe me pagesa të mëdha të papaguara. Ky shtrëngim ka bërë të kthehet vëmendja te të rinjtë.

Nga kjo, niveli teknik është ulur, por në aspektin fizik janë përmirësuar në aspektin e përgatitjeve, kishte klube që nuk bënin fazë përgatitore. Tani kanë program e fazë të menduar e studiuar, është e kollajshme të gjesh materiale tani”, tha Jupi. /vipsport.al/