“Jogi ik!”, tifozët e Gjermanisë nuk e duan më trajnerin Lëv

Sa shpejt ndryshojnë kohët! Në verën e vitit 2014, e gjithë Gjermania këndonte në sheshe “Jogi qëndro!”, për të bindur Joakim Lëv që të mos pranonte ofertat e shumta që i kishin mbërritur pasi fitoi Botërorin. Tani, duket se një pjesë e madhe e këtyre tifozëve kërkojnë që trajneri i përfaqësues të largohet pas dështimit në Rusi 2018 dhe Ligën e Kombeve.

Sipas një sondazhi të publikuar nga “Bild”, i kryer në ditët e fundit të vitit 2018, 41% e gjermanëve të intervistuar nuk e shohin atë si trajnerin e duhur të ekipit kombëtar. Më pak, vetëm 35% mendojnë se ai është personi i duhur për të vazhduar punën në krye të përfaqësueses. Ndërsa 24% e tifozëve të intervistuar kishin vendosur që të mos i përgjigjeshin kësaj pyetje.

Rënia e popullaritetit të Lëv është padyshim rrjedhojë e vitit shumë negativ. Gjashtë humbje gjatë 2018 e kanë kthyer vitin e Gjermanisë në një vit historik në aspektin më të keq të mundshëm, pasi ato sollën për herë të parë në histori eliminimin në fazën në grupe në vendin e fundit në një Botëror si dhe “rënien nga kategoria” në Ligën e Kombeve. /vipsport.al/