Ignat tregon Shkodrën në Rumani: Qytet i emancipuar, niveli si në Rumani para tetë viteve

Në një prononcim për rumunen “Pro Sport”, Dan Ignat, mbrojtësi që ishte titullar në pjesën e parë të sezonit në radhët e skuadrës kuqeblu është bërë i “gjallë”, e madje ka folur edhe me nostalgji për qytetin verior. Ignat tregon edhe kulturën dhe emancipimin e Shkodrës, ku ai ka mbetur i mrekulluar nga fakti që njerëzit aty lëvizin me biçikleta.

Qyteti

“Shkodra është një qytet dhe ambient shumë i bukur, njerëzit në atë qytet lëvizin me biçikleta dhe kjo më ka pëlqyer shumë. Madje, gra, të rinj, te reja, por edhe të moshuar apo dhe njerëz të veshur me kostum. Kam pasur fatin që në ekip të gjejë shumë lojtarë që kanë luajtur në Superiore, por edhe në Kupat e Evropës apo dhe me ekipet kombëtare të moshave”.

Niveli

Ignat është një futbollist me shumë eksperiencë dhe ai nuk ngurron që të analizojë edhe ecurinë dhe futbollin shqiptar: “Liga e dytë në Shqipëri është e ngjashme me ligën e dytë në Rumani gjatë periudhës së viteve 2007-2011. Personalisht prisja që të isha ndër më të mirët, madje kam shënuar edhe 5 gola në 14 ndeshje”, – tha mbrojtësi shtatlartë, Dan Ignat, të cilin në Shkodër e presin që të rikthehet duke qenë se është titullar në ekip, por edhe një nga më të mirët.

E.S./Vipsport.al/