I shënoi portierit të Turqisë, Çyrbja: Kënaqësi e veçantë, objektiv është titulli

Kukësi është mundur nga Istanbul Bashakshehir në miqësoren e zhvilluar të mërkurën, por ka dalë gjithsesi i lumtur nga sfida ndaj kryesuesve të kampionatit turk pasi i ka bërë ballë mjaft mirë nëj kundërshtari të tillë si dhe i ka shënuar edhe një gol më anë të Arbër Çyrbjes.

Vetë mesfushori e ka cilësuar një kënaqësi të veçantë faktin se arriti të gjente rrjetën përballë kësaj skuadre e cila kishte në portë titullarin e Turqisë. “Luanim përballë një ekipi shumë të fortë dhe një portieri të kombëtare turke. Ishte ekip i fortë dhe është kënaqësi të luash kundër tyre e shënosh”, tha ai për RTSH.

Ndërkohë, Kukësi vazhdon përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit dhe për Çyrbjen, pavarësisht rivalitetit të madh që ka në këtë edicion, objektivi mbetet ai i zakonshmi, titulli kampion.

“Ekipet pothuajse janë aty-aty po ne kemi një grup shumë të mirë lojtarësh. Objektivi i im dhe i gjithë ekipit është të stërvitemi sa më mirë që të synojmë të dalim kampionë”, tha Çyrbja. /vipsport.al/