I harruari nga FSHF shënon edhe në Kupën e Greqisë, sa shumë shqiptarë në fushë

Fatjon Andoni është një nga futbollistët shqiptarë që luan më rregullisht në kampionatin grek të futbollit. Në vitet e fundit ai ka luajtur thuajse çdo ndeshje me fanellën e AEL Larisa duke u kthyer në figurë qendrore për këtë klub. Por pavarësisht kësaj, 27-vjeçari është lënë në harresë nga FSHF e cila nuk e ka grumbulluar qoftë edhe një herë si në periudhën e De Biazit, ashtu edhe të Panuçit, për ta parë nag afër nëse mesfushori ka vlera për të qenë pjesë e kombëtares.

Andoni ka treguar edhe sot se sa thelbësor është për klubin e tij, duke marrë pjesë në fitoren e rëndësishme 3-2 të skuadrës së tij në Kupën e Greqisë përballë Asteras Tripoli. Mesfushori ka shënuar me penallti golin e tretë të skuadrës së tij në fundin e pjesës së parë të duelit nga i cili do të dalë çerekfinalisti i Kupës pas ndeshjes së kthimit.

Por në fushë sot nuk ka qenë vetëm Andoni. Në ndeshjen mes Smirnis dhe Atromitos, të përfunduar 3-0 për ekipin mik, në radhët e vendasve u aktivizua si titullar Klodian Gjino, një mesfushor i cili në të kaluarën ka luajtur rregullisht me ekipet e moshave të Shqipërisë deri te Shpresat. Ndërsa në ndeshjen mes Çania dhe AEK, të përfunduar në barazim 1-1, në radhët e ekipit vendas luajtën titullarë dy ish-lojtarë të Shpresave kuqezi, mbrojtësi Ardit Toli dhe mesfushori Damian Gjini. /vipsport.al/