Hoxhës dhe Bardhit iu del emri te Kievo, klubi veronez mendon për sezonin e ardhshëm

Dy titullarë të Partizanit drejt Italisë. Sipas një medie lokale të Veronës, “Trivenetogoal news”, Kievo synon të marrë portierin Alban Hoxha dhe sulmuesin Jurgen Bardhi nga Partizani. Për momentin janë vetëm zëra merkatoje.

Kievo, sipas portalit në fjalë, po mendon që tani për Serinë B dhe kjo do të thotë se duhet të shesë lojtarët e kërkuar në merkato, siç është rasti i Emanuele Xhakerinit, të kërkuar nga Spali.

Klubi po i bën llogaritë për sezonin e ardhshëm dhe në fokus ka dy lojtarët e Partizanit, portierin Alban Hoxha dhe sulmuesin Jurgen Bardhi. Hoxha në fakt është përfolur shpesh për një kalim të mundshëm te Kievo, por ky transferim nuk është bërë kurrë.

Duket e vështirë që Partizani t’i lëshojë këta dy titullarë në këtë moment, kur është kandidat kryesor për titullin kampion, pavarësisht se mund të përfitojë financiarisht nga shitja e tyre. / Vipsport.al