Gjoka: Kamza mbijeton nëse jemi të bashkuar, rivaliteti shumë i fortë

Me largime por edhe afrime, e megjithatë trajneri i skuadrës së Kamzës, Ernest Gjoka është optimist. Gjoka, ka besim se Kamza do të shpëtojë edhe në qoftë se ruan këtë grup dhe nuk bën merkato. Por, ama duhet që të gjitha hallkat e klubit të funksionojnë më së miri deri në fund, ndryshe… Në një prononcim që ka dhënë për “Rtshsport”, trajneri i skuadrës së Kamzës është shprehur: “Jemi në rregull deri diku, presim një mbrojtës. Por me këtë grup edhe nëse e nisim kështu jemi në rrugë të mbarë për të realizuar synimet tona”.

Synimet

“E kam thënë që në krye të herës, që kemi ardhur të bëjmë më të mirën, që nga stafi, skuadra, presidenti Qarri dhe Kryetari i Bashkisë kemi vetëm një qëllim. Nëse jemi të bashkuar, Kamza shpëton. Nëse një nga këto hallkat nuk funksionon, atëherë do të kemi shumë vështirësi t’ia dalim dhe të realizojmë synimin tonë për të mbijetuar”.

Mbijetesa

Lidhur me rivalitetin për mbijetesën, në fund të prononcimit, trajneri i skuadrës së Kamzës, Gjoka theksoi se: “Do bëjmë luftën tonë deri në javën e fundit. Kush do jetë shumë e fortë psikologjikisht dhe kush do ndihmohet nga suporti bashki-president do e kalojë “provimin” e vështirë të mbijetesës”, – tha Ernest Gjoka i cili ka mbetur i kënaqur me ecurinë e fazës përgatitore deri më tani.

E.S./Vipsport.al/