Gjici: Stadiumi i ri nuk po fillon për shkak se po na pengon Bashkia e Kukësit

Presidenti i skuadrës së Kukësit, Safet Gjici ka folur për “Rtshsport” ku është ndalur tek çështja e stadiumit, por edhe merkato dhe ambiciet për titullin kampion. Natyrisht që Gjici, shigjeton edhe kreun aktual të Bashkisë së Kukësit, që sipas presidentit të skuadrës kuksiane: “Bashkia po nxjerr probleme. Nuk po lejohen të bëhen matje, plane rilevimi etj. Në Kukës duket se janë xhelozë se pse qeveria Rama po investon në Kukës. As ne nuk e kemi penguar, madje shumë mirë këtë mund ta bënte edhe qeveria Berisha kur ishte në pushtet”.

Presidenti ja folur edhe për kandidaturën e tij për të marrë drejtimin e Bashkisë së Kukësit. “Normalisht që nuk do të jem më president nëse kandidoj dhe fitoj zgjedhjet dhe do të jem kryebashkiak. Unë do e mbështes Kukësin dhe sportin. E dua sportin, nuk është ekipi i një personi por i tërë Kukësit. Skuadra e futbollit është edhe kreniaria kuksiane”.

Në lidhje me synimet dhe garën për titullin, Gjici ka theksuar se: “Froni i kampionatit i takon atij që investon më shumë. Kukësi, Kukësi dhe vetëm Kukësi. Ne po i bëjmë hyzmetin që të dalim kampion vetëm ne. Normalisht që kush investon më shumë, i takon që të fitoj edhe titullin kampion”.

E.S./Vipsport.al/