FOTO / Manaj në tribunë për barazimin e Albasete, por tifozët i kushtojnë një parullë

Dëshironte me çdo kusht të luante, por te Albacete kanë vendosur që të mos rrezikojmë me Rei Manajn, duke mos e hedhur në fushë në ndeshjen e sotme kundër Gijon. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, pas shkelmit të marrë në fytyrë një javë më parë, nuk ka qenë në gjendjen e tij më të mirë dhe në klub është bërë e qartë se nuk do të rrezikohej shëndeti i lojtarit i cili gjatë javës kishte pasur të vjella apo marrje mendsh e nuk flinte rehat si pasojë e goditjes së pësuar.

Ndaj Manaj ka ndjekur nga tribuna ndeshjen e sotme që skuadra e tij barazoi 1-1 ndaj Gijon në shtëpi, duke mos arritur të përfitonte nga barazimi i Granadës për t’i rrëmbyer vendin e parë. Albacetes iu desh që të luftonte shumë edhe për këtë barazim dhe vetëm një gol i Zozulia në fund siguroi të paktën një pikë.

Megjithatë, tifozët nuk e kanë harruar Manajn dhe sot në stadium kanë shprehur dëshirën që ta shohin të kthehet sa më shpejt në fushën e lojës. Kështu, një grup mbështetësish të klubit janë paraqitur sot në stadium me parullën “Fuerza R. Manaj” që i kushtohej sulmuesit shqiptar, në pritje të kthimit të tij sa më të shpejtë në fushë që të vazhdojë serinë e golave për të ndihmuar ekipin të ngjitet në La Liga.

Edhe lojtari nuk ka ngurruar që t’i përshëndetë me një postim në rrjetet sociale. “Faleminderit për mbështetjen dhe për gjithçka, kemi një pikë më shumë. Ekip i madh”, ishin fjalët e Manajt. /vipsport.al/