Flet kapiteni Selmani: Jemi mirë, por na duhet një sulmues

Laçi kërkon të kthehet përsëri në Europë në verë. Për këtë janë të ndërgjegjshëm të gjithë te kurbinasit e aq më shumë portieri Gentian Selmani. Kapiteni i Laçit beson që skuadra është në rrugën e duhur drejt këtij objektivi, por shpreson që deri në fund, drejtuesit të sigurojnë një përforcim cilësor.

“Kemi zhvilluar një fazë të mirë këtu në Kamëz, po shkon shumë mirë, stërvitjet po i bëjmë me dy seanca në ditë. Shpresojmë që të vazhdojmë kështu që të nisim kampionatin me këmbë të mbarë. Mendoj se deri tani jemi mirë, shpresoj që të ketë ndonjë afrim cilësor sepse duhet edhe ndonjë sulmues, por edhe po nuk pati, ekipi është i mirë, grupi është kompakt e besoj se mund t’ia dalim”, tha Selmani për RTSH.

Vetë emri i portierit është përmendur shpesh në merkato, si një prej atyre që mund të largohet nga kurbinasit. Por lojtari bën të qartë se mbetet i përqendruar vetëm te klubi aktual.

“Unë jam pjesë e Laçit. Tani flitet se është merkato e janarit. Por nuk dua t’i dëgjoj, jam i fokusuar në stërvitje dhe do të ndihmoj ekipin deri sa të jem këtu”, deklaroi ai. /vipsport.al/

more recommended stories