Flamurtari nuk kursehet aspak ndaj U-19-ës, shumë mungesa për trajnerin Daja

Flamurtari ka luajtur sot një ndeshje miqësore me ekipin U-19, u ka fituar me rezultatin e thellë, 8-0. Ka pasur mungesa titullarësh për trajnerin Ilir Daja në këtë ndeshje, ku nuk luajtën Bushiç, Alla, Kale e Veliu të dëmtuar, si dhe Danilo Alvesh, i cili është bërë telenovelë si zakonisht në të tilla periudha.

Të gjithë, përveç Alveshit, kanë bërë stërvitje të diferencuar, ndërkohë që skuadra luante miqësoren me 19-vjeçarët, ku rezultati nuk lë vend për shumë komente. Musta dhe Batha shënuan nga një dygolësh, ndërsa golat e tjerë mbajnë firmën e Ribajt, Useinit, Mustafës dhe të riut Haruni.

Ishte miqësorja e dytë për skuadrën vlonjate, që në të parën nuk shkoi më shumë se barazimi (1-1) ndaj Lushnjës.

 

Flamurtari- Flamurtari U-19 8-0

Shënues: Musta (2), Ribaj, Batha (2), Useini, Mustafa, Haruni

Formacioni i Flamurtarit: Koliçi, Siljanovski, Deliaj, Pollozhani, Kotobelli, Mustafa, Useini, Batha, Torasa, Ribaj, Musta. U aktivizuan:  Qirko, M.Qarri, J.Qarri, Ymeraj, Liçaj, Muçollari, Diamanti, Haruni, Ziaj.