Emiljano Çela thumbon të larguarit nga Kastrioti: Ka mbetur pjesa më e shëndoshë

Klubi i Kastriotit duket se do të fillojë gjithçka nga e para në këtë pjesë të dytë të sezonit, duke mos menduar shumë për atë që ka kaluar në dy fazat e para. Për këtë është i bindur edhe kapiteni aktual i krutanëve, Emiljano Çela, i cili ka bindjen se ekipi do të jetë i përgatitur për rifillimin e ndeshjeve. Sipas tij, edhe largimet në fakt nuk duhen parë si një sinjal braktisje i ekipit, ndërsa lëshon thumbime ndaj atyre që janë larguar.

“Kemi pasur problemet tona të para për sa i përket afrimit të lojtarëve. Gradualisht disa lojtarë po vijnë derisa të plotësohet grupi dhe mendoj që java që vjen do të jetë më e mirë sa i përket përgatitjes.

Synimi ynë është të bëjmë një skuadër konkurruese. Vërtetë është ideja që ka pasur shumë largime dhe opinioni mendon se këtu puna është lëshuar. Por përkundrazi, lojtarët që janë larguar, disa prej tyre ka qenë dëshira e klubit për t’i larguar. Pastaj pjesa më e shëndoshë mendoj se është aktualisht këtu dhe mendoj se me disa afrime cilësore mund të jemi konkurrues në pjesën e dytë të sezonit”, tha ai për “SuperSport”.

Sipas tij, me Devollin fillon gjithçka nga e para dhe ndonëse Kastrioti shihet si një ekip që ka më pak shanse se të tjerët, do të shfrytëzojë çdo mundësi që i i jepet për të mbijetuar.

“Trajnerët e parë, me gjithë respektin që kam për ata, kanë punuar, kanë bërë punë e tyre. Por trajneri i ri është frymë e re dhe mendojmë të ecim para, çfarë ka ikur, ka ikur. Ne do të provojmë shansin tonë, çdo ekip ka shanset e veta. Vërtetë që për ne mund të jetë pak e vështirë se jemi në vend të fundit. Por puna po bëhet, pse të mos e provojmë”, tha Çela. /vipsport.al/

more recommended stories