E papritur! Teuta ka shitur Latif, ofertë për sulmuesin e Bullgarisë

Skuadra e Teutës kërkon të bëhet protagoniste kryesore në futbollin e vendit tonë dhe synon që të luftojë jo thjesht për Europën, por edhe për titullin kampion në këtë sezon. Kjo konfirmohet edhe më shumë nga lëvizjet e fundit që po bën ekipi durrsak, i cili mendon të përforcohet në prapavijë, por edhe në sulm, ndonëse për momentin nga aty ka larguar sulmuesin kryesor, Latif Amadu.

Konfirmimi vjen nga presidenti i skuadrës durrsake, Edmond Hasanbelliu, i cili në një intervistë për RTSH ka bërë bilancin e merkato të skuadër së tij në këtë periudhë.

“Arapi pothuajse është i Teutës. Ka një ngërç me ekipin e tij në Turqi, sa i përket çështjeve financiare. Ai, bashkë me menaxherin do të bëjë shkëputjen nga klubi ku ka qenë, por me 99% është një lojtar i Teutës.

Latif është shitur në Bjellorusi. Prisnim më shumë nga ai kur e morëm, edhe pse e menduam fillimisht një sulmues krahu, jo një lojtar në qendër. Ai pati probleme, nuk kishim si të kënaqeshim, ndaj e shitëm. Do të marrim tjetër më të mirë dhe njëkohësisht bëjmë edhe para.

Pretendojmë të marrim një bullgar dhe një argjentinas. Ka disa alternativa, por shumë shpejt brenda këtij muaj do të themi se kush do të jetë përforcimi ynë”, tha Hasanbelliu në intervistën e tij,

Sipas RTSH, sulmuesi për të cilin bëhet fjalë është bullgari Radoslav Vasilev. Sulmuesi 28-vjeçar, është aktualisht pjesë e skuadrës së Çerno More në kampionatin bullgar, ekip me të cilin ka luajtur 33 ndeshje e ka shënuar 9 gola. Që në vitin 2015 ai ka qenë pjesë edhe e përfaqësueses së Bullgarisë, me të cilën ka luajtur 6 ndeshje duke shënuar një gol, në shtatorin e vitit 2018 kur realizoi atë të fitores 1-0 ndaj Norvegjisë në Ligën e Kombeve. /vipsport.al/