E nxorën në “pension”, Agolli: Vendos gjithçka në fund të sezonit

Ansi Agolli do të vendosë në fund të këtij sezon nëse do ta mbyllë përfundimisht me futbollin e luajtur apo do të vazhdojë të luajë, te Karabak apo një klub tjetër. Pas lajmit që qarkulloi se mbrojtësi kishte vendosur ta mbyllte në fund të këtij edicioni karrierën e tij, vetë ish-kapiteni i përfaqësueses ka dhënë versionin e tij ngjarjeve në një intervistë për “Azerisport”.

A po planifikon të mbyllësh karrierën në fund të këtij sezoni?
Nuk e kam vendosur ende.

Në media u shpërndanë lajme se do të jetë kështu…
Mirë, ndoshta ata e kanë vendosur për mua (qesh). Realisht nuk kam asnjë mendim rreth kësaj. Nuk është e mundur që ata që e kanë shkruar të dinë më shumë sesa unë.

Ndoshta lajme të tilla vijnë nga fakti se jeni 36 vjeç dhe nuk jeni më titullar?
Kam aq kohë që luaj sa nuk kam pse të shqetësohem për këto gjëra. Unë i jam besnik këtij klubi dhe krenar që jam këtu.

As ekziston mundësia që ky të jetë sezoni juaj i fundit, apo do të ndërroni klub?
Do ta vendos. Në fund të sezonit do të flas me trajnerin, do të këshillohem me familjen time dhe më pas do të vendos si t’i përgjigjem kësaj pyetje. Tani jam i përqendruar te skuadra. Po punojmë shumë për të.

A do të shpallet Karabak përsëri kampion?
Nëse ne do të shpallemi përsëri kampionë, do të thotë se kemi bërë gjithçka drejt, si gjithmonë. Por më parë duhet ta fitojmë kampionatin. Pjesa e dytë e sezonit nuk do të jetë më e lehtë se e para.

Sidomos ndeshja e parë me Neftçi…
 (Qesh) do të jetë një ndeshje interesante. Do të jetë e nevojshme të përgatitemi mirë për të. /vipsport.al/