Devolli: Pres 2-3 përforcime që më kanë premtuar, pse të mos mbijetojmë në Superiore?

Trajneri i Kastriotit, Bledar Devolli, mendon se skuadra e tij ka edhe aktualisht një grup serioz që mund të provojë qëndrimin në Superiore. Megjithatë, pas ndeshjes së djeshme miqësore kundër Kamzës, ai ka theksuar se pret ende 2-3 përforcime që i janë premtuar për të rritur cilësinë dhe konkurrencën në ekip.

“Besoj se kemi luajtur me një kundërshtar të fortë, që ka cilësi me një ekip të mirë. Besoj se na ka shërbyer kjo ndeshje, mora një sinjal pozitiv nga skuadra, por kemi ende punë për të bërë. Presim edhe 2-3 lojtarë që më ka premtuar presidenca. Nëse vijnë ata dhe vazhdojmë të punojmë kaq seriozisht, them se do të jem konkurrues dhe një kockë e fortë në kampionat.

Di që kam çuna të talentuar, çuna që kanë dëshirë, që janë të talentuar. Jam i kënaqur nga ky grup, por për të futur konkurrencë dhe të jemi konkurrues në kampionat na duhen 2 3 përforcime. Duke punuar çdo ditë në stërvitje e duke u përforcuar, do të jemi një ekip i denjë. Pse të mos e mbajmë në Superiore ekipin?”, tha ai në intervistën e publikuar nga klubi krutan.

Ai theksoi se edhe në fazën përgatitore, kishte kërkuar maksimumin nga lojtarët si dhe rezultate që në miqësore. “Nga stërvitja që shikoj, kërkoj edhe gjatë javës apo çdo ditë që të bëjnë stërvitje me entuziazëm, luajnë me entuziazëm, dua rezultat edhe në miqësore që të bëhet mentaliteti i fituesit, të na shërbejë në kampionat”, shpjegoi ai. /vipsport.al/