Cungu flet për Shkurtajn e Rrocën: Këtu ka vetëm ekipe me nivel të lartë

Prej disa ditësh, Kukësi ndodhet në Antalia ku po zhvillon fazën përgatitore në prag të nisjes së gjysmës së dytë të kampionatit. Tekniku shkodran i Kukësit, Armando Cungu ka folur për mediat në përfundim të takimit ndaj Rostovit dhe është shprehur se barazimi 1-1 ishte rezultat i drejtë, ndërkohë që ka folur edhe për afrimet e reja në skuadër.

“S’ka gjëra të reja, pasi në këto kushte ku stërvitemi ne ka ekipe në nivele të larta dhe bëjnë pjesë në kamping. Këtu ka ekipe të forta dhe sot ishte një barazim i drejtë edhe pse ishim ne më shumë dominues në mbajtje topi dhe në mundësi të caktuara kishim mundësi të ndëshkonim. Duhet të përgatitemi për të qenë të gatshëm dhe ekipi ishte bindës sot dhe herën e kaluar.

Kishim ndryshime në vendosje dhe unë dua të shoh skema dhe sisteme si sillet ekipi dhe si sillemi ne në situata të caktuara dhe në momente të caktuara gjatë ndeshjes. Ka momente ku edhe në varësi të rezultatit e kundërshtarit duhet ndryshuar sistemi.

Rroca-Shkurtaj? Janë të dy lojtarë cilësorë dhe te Gjirokastra kanë pasur nivel të pëlqyeshëm dhe prandaj i mora te Kukësi. Kanë nevojë natyrisht për përmirësim sidomos fizik pasi janë lojtarë me kualitet dhe rritja fizike i bën më të lirshëm dhe mu8nd të bëhen më shumë të dobishëm për ekipin”, u shpreh Cungu. /Erjon Allaraj-VipSport.al/