Çuditë e Rabio, i kërkon Barcelonës klauzolë që të mos luajë si Buskets

Adrien Rabio është padyshim një nga lojtarët më të kërkuar në merkaton e futbollit botëror, por edhe një nga më të çuditshmit. Mesfushori francez mbyll këtë vit kontratën e tij me PSG-në dhe ka bërë të qartë që nuk do të rinovojë me këtë klub. Ndaj që prej janarit, ai ka nisur zyrtarisht kontaktet me klube të tjera që duan të sigurojnë shërbimet e 23-vjeçarit.

E para në listën e skuadrave të interesuara për të është Barcelona, e cila ka kontaktuar me mamanë e tij, Veronik, e cila shërben si menaxhere e futbollistit. Katalanasit kanë ofruar një rrogë prej 10 milionë eurosh në vit si dhe një bonus prej 10 milionë eurosh menjëherë në momentin e firmës.

Por situata mbetet në vendnumëro jo vetëm për faktin se edhe Bajern Mynih ka bërë një kundërofertë për lojtarin. Sipas asaj që kanë mësuar mediat spanjolle, Rabio ka kërkuar që në kontratën e tij të ketë një klauzolë të veçantë. Ai është në mesfushor qendre, por nuk i pëlqen që të luajë para mbrojtjes, por të dalë në ndihmë të sulmit. Kësisoj, kërkon që të ketë një klauzolë, e cila nuk i lejon Barcelonës që ta aktivizojë atë në pozicionin para mbrojtjes, ku aktualisht luan Serxhio Buskets.

Diçka e paparashikuar për nivele të tilla, por për lojtarin nuk është hera e parë që merr vendime të papritura. Në maj, Rabio refuzoi të qëndronte në listën shtesë të Francës për Botërorin 2018 nëse do të kishte një dëmtim të minutave të fundit dhe që atëherë nuk është grumbulluar më nga Deshamp. /vipsport.al/