Bylisi rikthen ish-sulmuesin e Partizanit, firmos kontratë dy vjeçare

Bylisi ka arritur që të bëj të vetin një lojtar cilësor dhe bëhet fjalë për sulmuesin Ardit Jaupaj, i cili ka firmosur kontratë dy vjeçare me kryesuesit e Grupit të Jugut. Në fakt, ai u stërvit me Bylisin në verë ku edhe zhvilloi fazën përgatitore dhe u aktivizua si titullarë në të gjitha miqësoret e ballshiotëve. Por, në Ballsh nuk u federua dot për shkak të problemeve me letrat. Jaupaj luajti në gjysmën e parë të sezonit me skuadrën e Devollit, pretendente e Grupit të Jugut në Kategorinë e Dytë.

Jaupaj ka qenë sot në Ballsh ku edhe ka zhvilluar stërvitje, por edhe ka luajtur në testin ndaj skuadrës së Orikumit. Ardit Jaupaj që ka qenë edhe pjesë e skuadrës së Partizanit, ka firmosur me Bylisin një kontratë dyvjeçare. Aktualisht, sulmuesi me origjinë nga Kuçova është 22vjeç dhe shihet si një element me perspektivë.

Me shtatlartin Ardit Jaupaj, skuadra e Bylisit bëhet edhe më e fortë në sulm, pasi ka kualitete si Kofi e Antoni që në pjesën e parë të kampionatit treguan vlera, e madje shënuan edhe gola të rëndësishëm.

E.S./Vipsport.al/