“Basti” i Adrian Aliajt për mesfushorin: E shoh për 2 vite te PSG në vend të Rabio

Adrian Aliaj është kthyer në këto vite në një prej menaxherëve më të suksesshëm shqiptarë që punojnë jashtë vendit tonë. Ish-mbrojtësi i përfaqësueses, i cili do të kujtohet gjatë për golat e tij me fanellën kuqezi, tani është një menaxher i cili ka mundësuar transferime të rëndësishme të futbollistëve shqiptarë, por sidomos talenteve kroatë të cilët i monitoron me kujdes pasi jeton e punon në Kroaci.

Një prej tyre është Toma Bashiç, i cili pasi spikati me Hajduk, bëri një transferim të bujshëm te Bordo në Francë. Lojtari nuk ka luajtur shumë rregullisht në pjesën e parë të sezonit, por Aliaj është i bindur për vlerat e 22-vjeçarit.

“Kur mbërriti në ekip, nuk e dinin as në çfarë roli luante në të vërtetë. Ndaj Toma nuk mund të bënte gjëra të mëdha. Ai përjetoi keq edhe gabimin që bënë drejtuesit në Ligën e Europës dhe kjo nuk bëhet në këto nivele”, shpjegoi Aliaj për “L’Equipe”.

“Ndonëse nuk ka qenë i jashtëzakonshëm në lojën e tij, goli që shënoi ndaj Dijon i ka dhënë më shumë besim. Nëse duam të shohim Toma Bashiç të vërtetë, ai është më afër një mesfushori që luan si 6 apo si 8. Njerëzit mund të mendojnë se jam i çmendur, por nëse ai rritet normalisht, unë e shoh brenda 2 vitesh te PSG në një rol të ngjashëm me atë të Adrien Rabio”, ishin fjalët e menaxherit shqiptar. /vipsport.al/