Barcelona i bën ofertë Çelsit për Uillian, gati t’i dhurojë një tjetër brazilian

Barcelona nuk i heq sytë nga braziliani Uillian. Katalanasit ndjekin prej kohësh futbollistin e Çelsit dhe kanë gati një ofertë që mund të tundojë Mauricio Sarrin të pranojë që të heqë dorë nga futbollisti brazilian.

Sipas medieve angleze, Barcelona kërkon me çdo kusht lojtarin e Çelsit për ta rreshtuar në repartin e avancuar përkrah emrave si Mesi, Suarez, Kutinjo e Dembele. Ajo dëshironte që të siguronte lojtarin që në verë, por londinezët refuzuan çdo ofertë për të.

Kësisoj, ekipi katalanas bleu Malkom, por ka mbetur i zhgënjyer nga forma që ka treguar braziliani 21-vjeçar. Për këtë arsye, do t‘i ofrojë Çelsit pikërisht këtë të fundit, si dhe një shumë prej rreth 20 milionë eurosh.

Në rrethana normale, Çelsi do të refuzonte menjëherë, por duke pasur parasysh se është në prag të bllokimit të merkatos nga FIFA dhe nuk ka shumë hapësira për të blerë lojtarë të rinj, mund të jetë i tunduar të pranojë, pasi edhe marrëveshja që ka me 30-vjeçarin Uillian përfundon pas 18 muajsh. Megjithatë, në Angli parashikojnë negociata të gjata mes palëve, me Çelsin që duket më i interesuar për të siguruar para të cilat do t’i investonte vetë në merkato. /vipsport.al/