Bakaj: Tani kush investon më shumë fiton. Partizani e Kukësi për titull

Për Elis Bakajn, viti 2019 nuk kishte si të fillonte më mirë. Në një ceremoni të organizuara në Soligorsk, sulmuesi shqiptar ka varur në qafë medaljen e nënkampionit në Bjellorusi të siguruar me klubin e tij, por ndërkohë është vlerësuar edhe me çmimin e lojtarit të preferuar nga tifozët e Shakhtar.

“Për një sportist, që të votohet si lojtari më i mirë i vitit i ekipit të tij, nga tifozët, është diçka shumë e bukur dhe një sodisfaksion shumë i madh për mua, për të vazhduar më tej, që të jap maksimumin për  këtë ekip”, ishin fjalët e Bakajt në një prononcim për “SuperSport”.

“Gjërat shkuan ashtu siç klubi e priste nga unë, sepse ata bënë një investim për mua dhe normalisht prisnin t’u shpërblehej. Jam ambientuar shumë mirë, ndihem shumë mirë këtu, ashtu si edhe familja ime, kështu që jo më kot rinovova edhe kontratën. Kam pasur edhe oferta të tjera, por mendova duke folur edhe me familjen time që më mirë do të ishte që të vazhdoja prapë këtu pasi me të vërtetë ndjehem mirë dhe i respektuar nga të gjithë”, vijoi sulmuesi i cili e di mirë se çfarë synon skuadra e tij në këtë vit që sapo filloi.

“Këtu çdo sezon synohet titulli, pavarësisht se është e vështirë, sepse dihet që Bate ka një ekip shumë të mirë. Megjithatë ne kemi luajtur dy herë me ta këtë sezon dhe një herë i kemi mposhtur. Nuk kanë ndonjë diferencë shumë të madhe me ekipet e tjera”, shpjegoi Bakaj.

Sigurisht, nuk mund të mungonte një koment për kampionatin shqiptar të futbollit, ët cilin ai e ndjek rregullisht.

“Normalisht që nuk më vjen mirë që një ekip si Tirana të jetë në një gjendje të tillë, megjithatë futbolli i njeh edhe këto rezultate. Njerëzit duhet të mësohen se nuk është si më përpara se është Tirana, është Partizani apo ndonjë ekip tjetër e ata që janë poshtë nuk kanë të drejtë të pretendojnë për të marrë kampionatin. Futbolli tani është kështu, ai që investon më shumë, ai ka rezultate më shumë. Unë meqë kam qenë pjesë e Tiranës uroj që të rikthehen sa më shpejt aty ku i takon, për tifozët, për njerëzit që e duan atë ekip.

Partizani është një nga pretendentët kryesorë për të marrë titullin, bashkë me Kukësin. Kanë lojtarë cilësorë në ekip dhe pse jo, mund të jetë viti i duhur për t’u rikthyer te titulli”, deklaroi lojtari i cili ka veshur në Superiore fanellën e shumë prej skuadrave kryesore duke fituar trofe me ta. /vipsport.al/