Agjenti i Hysajt bën prapakthehu: Ançeloti e njeh më mirë. Çelsi? Jo, ka diçka tjetër

Pak ditë më parë, agjenti i Hysajt, Mario Xhufredi i trazoi jo pak ujërat në Itali, duke kërkuar nga Ançeloti shpjegime se përse nuk po aktivizohet mbrojtësi shqiptar në kampionat. Ai kërkoi që në rast se nuk ka një shpjegim, të lejohet largimi nga Napoli.

Por, mesa duket menaxheri ka ndryshuar mendim dhe tashmë ka nisur të mendojë edhe mundësinë e qëndrimit në Itali. Ai ka pasur një takim kokë më kokë me Ançelotin, ku është folur në lidhje me të ardhmen e mbrojtësit shqiptar dhe shprehet se tekniku italian i di më mirë punët.

“Këtë javë kam pasur një takim me Ançelotin dhe Xhuntolin për 4 orë Ne kemi sqaruar situatën në lidhje me lojtarin dhe aktivizimin e pakët në ndeshjet e fundit. Biseduam dhe ai më dha disa shpjegime për zgjedhjet e tij, fjalët që unë i kuptoj plotësisht, sepse ai jeton me lojtarin çdo ditë dhe e di se në çfarë gjendje është.

Është e rëndësishme të dëgjohet Ançeloti sepse thotë se e vlerëson maksimalisht Hysajn. Në fakt është e drejtë pasi po të ishte e kundërta, atëherë mbrojtësi do të ishte larguar.

Merkato e mbyllur? Jo, sepse pas shqiptarit ka disa klube. Në janar mund të ketë mundësi. Ne flasim shumë për Çelsin, por ka diçka tjetër. Nëse ka ndonjë ofertë që është e mirë për të gjithë, atëherë do të veprojmë, ose në të kundërtën do të mendojmë rinovimin”, u shpreh Xhufredi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/