Stadiumi e zyrat e reja, Dervishaj i FSHF: S’mund ta lëmë ekipin kombëtar në periferi

Grumbullimi në Durrës, ndeshjet në Shkodër e Elbasan. Pas vitit 2019 harrojeni, pasi FSHF ka ndërmend të largojë Kombëtaren nga ‘periferia’ siç shprehet anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj.

Në një prononcim për ‘ABC Neës’, Dervishaj ka folur për stadiumin e ri, duke pranuar se nuk do të jetë gati në muajin mars, por me shumë gjasa në qershor mund të jetë. Megjithatë, ende asgjë nuk është e sigurt. Sakaq, sa i përket godinës së re që do të ndërtohet nga FSHF-ja, Dervishaj u shpreh se po bëhet me qëllim që të largohet Kombëtarja nga periferitë, duke dhënë një shifër tjetër për ndërtimin e saj, ndryshe nga sa është deklaruar më parë.

Stadiumi? Besoj se ndeshjet e para për fat të keq nuk do t’i lozim në stadiumin e ri, por në qershor shpresoj, nëse do kemi edhe ndihmesën e qeverisë. Nëse ata nuk financojnë, mund të shtyhet ende. Në shoqërinë kuqezi kemi dy ortakë ku FSHF ka 75% dhe qeveria ka 25%. Ne nuk i kemi thënë qeverisë që të derdhë kontributin, por i kemi derdhur vetë dhe kemi kërkuar që të na rimbursohet ‘TVSH’-ja.

Rimbursimi? Ekspertë tatimesh kanë thënë që duhet të na rimbursohet TVSH-ja dhe nuk është pak por janë rreth 2.5 milionë euro të cilat na duhen për të rritur nivelin e stadiumit dhe duhen ndoshta për të organizuar Superkupën e Europës. Ne kemi bërë dhe shtesa si ndriçimin, nga normal në LED. Do kërkojmë makineritë për ngrohjen e barit. Ne do ta çojmë zgjidhjen ligjore. Le të vendosë gjykata nëse kemi ne të drejtë.

Godina e re e FSHF? Një godinë që nuk bëhet godinë për sot, por që të jetë 20 vjet, të përballojë edhe rritjen që do ketë Federata në 20 vitet e ardhshme. Nuk mund ta lëmë ekipin kombëtar të stërvitet në periferi, por do ta sjellim në kryeqytet dhe nuk është 10 milionë euroja kostoja, por diku te 5-6 milionë euro dhe ato i kemi fonde të destinuar”, u shpreh Dervishaj. /Erjon Allaraj-VipSport.al/