Sneijder: Je i madh Luka Modriç, dedikimi yt është shenjë përulësie!

Mesfushori holandez, Uesli Sneijder, nuk arriti ta fitonte “Topin e Artë” në vitin 2010, kur bashkë me Militon e udhëhoqën Interin drejt tripletës së famshme. Për më tepër, Sneijder shkoi edhe në finale të Botërorit.

Tashmë ai i është përgjigjur kroatit Luka Modriç, i cili “Topin e Artë” ia dedikoi pikërisht holandezit, Ksavit dhe Injiestës, mesfushorëve që nuk e kanë fituar këtë trofe. Ish-lojtari i Interit ka postuar një foto të një dyluftimi me Modriç, ku shkruan:

“Të luaja kundër teje ishte e vështirë dhe zbavitëse. Të të shohësh që ua dedikon trofeun lojtarëve të tjerë, duke më përfshirë edhe mua, tregon madhështinë tënde dhe përulësinë tënde. Luka, një trofe i merituar plotësisht. Komplimente!” / Vipsport.al/F.R