Tirana ka nevojë për psikolog, arbitri e ngacmoi derbin

Shorti i hedhur në Dublin për kualifikueset e Europianit, është komentuar nga analisti sportiv, Gëzim Sinemati i cili i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” është shprehur se ky short nuk është edhe aq i favorshëm.

“Dikur kënaqeshim kur kishte short të vështirë ndërsa sot nuk janë më ato fytyra. Sot të gjitha ndeshjet janë njëlloj dhe nuk kemi më idenë ishalla kemi ekip të fortë për të fituar para. Sot nuk bën kush dhurata.

Ndeshja e parë e Shqipërisë kur erdhi Duka, ishte ndaj Andorrës dhe humbëm. Ta shohim këtë radhë se sa do të dalë ndeshja, nëse kemi bërë progres ose jo.

Andorra na ka hequr edhe trajnerin. Ne nuk kemi trashëgimi për të mbushur ekipin me presion pasi ne e dimë si u kualifikuam. Atëher u kualifikuam nga qielli me dron, ndërsa këtë herë duhet kualifikim me dron. A kemi trajner për kualifikim? A nuk i mjaftoi 1 vit trajnerit? Eksperimenti i madh është që provohen 100 veta. Ne harrojmë që kualifikimin e parë e arritëm me 7 gola të shënuar, nga të cilët 5 Armenisë, ndërsa 3 pikë na i dha droni.

Kombëtarja po shkon në nivelin e Superligës. Po humbet njerëzit nga besueshmëria. Fitorja 1-0 me Uellsin është më shumë bravo për arbitrin sesa kombëtaren.

Kurrë në derbi nuk flitet për arbitrin. Ai e ngacmoi derbin aty ku nuk ngacmohet. Derbi e do stadiumin plot. Unë derbin e dua ditën e fundit pasi në botë, të premten luhen ndeshjet koti. Pse nuk u luajt në Itali ndeshja Roma-Inter të premten. Derbi nuk është asgjë para futbollit.

Duhej që atë kamerën ta dërgonim te Tirana dhe të shihnim se çfarë thuhet aty. Tirana nuk ka nevojë vetëm për trajner, por do edhe psikolog. Kur futbollistëve u kërkohet karakter, nuk u kërkohet të jenë Barcelona”, u shpreh Sinemati. /VipSport.al/