Shehi nuk dorëzohet: Kampionat i gjatë, ky Skënderbe jep garanci për titull

Skënderbeu ka një tjetër sfidë shumë të vështirë, atë me Kukësin, ndonëse vjen nga një disfatë shtëpiake me Teutën që në Korçë ka “djegur” shumë. Trajneri i skuadrës korçare Orges Shehi, me shumë gjasa nuk do të ketë për lojë kualitete dhe titullarë të skuadrës ndaj kuksianëve.

Situata

Sulmuesi Krasniqi dhe Marko Radas nuk do të jenë për lojëë, ndërsa tashmë që korçarët janë 4 pikë poshtë Partizanit që është edhe rivali i tyre kryesor për titullin kampion, trajneri Orges Shehi ka pohuar: “Është përballje mes rivalëve, madje ka shumë vite që Kukësi është një nga rivalët tonë kryesore. Kërkon vlerësim maksimal për pozitat dhe situatën ku jemi. Vijmë pas një ndeshje me një rezultat jo të mirë, por me një lojë të mirë. Kjo na bën optimist që të japim më të mirën dhe të dalim me maksimumin nga fusha e lojës”, – tha trajneri Shehi për “Supersport”.

Mungesat

Pavarësisht mungesave të titullarëve të deklaruara tashmë, trajneri Shehi ka besim te pjesa e skuadrës që është gati. “Radas ka plotësuar numrin e kartonëve, por edhe Krasniqi nuk është stërvitur me skuadrën. Por edhe lojtarët që do të luajnë do të bëjnë më të mirën. Personalisht unë dhe stafi jemi të kënaqur për punën që bëjmë, lojtarët që nga 5 korriku e deri më sot kanë shfaqur rritje, po luajmë futboll, shkojmë te zona e kundërshtarit dhe realisht jam i kënaqur për gjendjen e lojtarëve”.

Rivaliteti

Për Shehin 4 pikë larg Partizanit nuk janë pak. “Kampionati është i gjatë, janë edhe shumë ndeshje. Mendoj se do të jetë garë shumë e fortë, pasi janë edhe ekipe që janë poshtë nesh që po ngrihen, ndaj edhe gara nuk është përcaktuar ende, ndaj parashikoj një kampionat shumë të fortë”,-tha trajneri i Skënderbeut Orges Shehi në prag të sfidës me Kukësin.

E.S./Vipsport.al/