Protagonistët/ Ja formacioni më i mirë i javë së 16 në Kategorinë Superiore

Java e 16 e Kategorisë Superiore ka bërë më të dukshme pretendimet e disa skuadrave në këtë pikë të sezonit dhe për vazhdimësinë e mëtejshme. Rikthimi i fuqishëm i Flamurtarit e Kukësit, apo edhe barazimi spektakolar i Teutës me Partizanin, ka nxjerrë në pah edhe individualitete të rëndësishme në këtë javë.

Vip Sport ju paraqet në vijim rreshtimin ideal të kësaj jave, me lojtarë të cilët kanë bërë mirë me lojën, aftësitë para portës, apo edhe mënyrën se si kanë udhëhequr skuadrat e tyre në momente të veçanta.

PROTAGONISTËT

Isli Hidi – Teuta / Shumë e vështirë të zgjedhësh një portier në ndeshjen Teuta-Partizani, por në fund gardiani i durrsakëve fiton vendin në formacionin ideal para Hoxhës. Pritja e tij instinktive ndaj gjuajtjes së Malës në momentet më të vrullshme të të kuqve është vendimtare për të ruajtur barazimin e skuadrës së tij ndaj kryesuesve të kampionatit.

Goran Siljanovski – Flamurtari / Zgjidh me shumë mjeshtri disa inkursione të vështira në krahun e tij dhe bën të vuajë Laçin duke e detyruar të kthehet i tëri në mbrojtje sa herë ka topin në duar në rivënie anësore. Nëse fillon të shohë më shumë drejt sulmit si në sezonin e kaluar, mund të kthehet ndër armët më të forta të skuadrës vlonjate.

Bruno Arrabal – Kamza / Nëse Kamza ka marrë tre pikë jetike për mbijetesën në Superiore, merita ka edhe Bruno Arrabal. Mesfushori i transformuar në qendërmbrojtës, në minutat e fundit ishte i pakalueshëm dhe arriti edhe të bënte rolin e portierit në fund të ndeshjes duke larguar një top nga vija fatale që mund të kishte sjellë golin e barazimit. Nëse të gjithë do të kishin grintën e Arrabal, te Kamza nuk do ta kishin problem mbijetesën.

Esin Hakaj – Teuta / Me problemet fizike të vuajtura muajt e fundit të hedhura pas krahëve, Hakaj është kthyer përsëri në futbollistin e pandalshëm që e bëri një nga mbrojtësit e majtë më të spikatur në Superiore. Kontrolloi thuajse gjithmonë mirë krahun dhe në disa raste, driblimet e tij krijuan panik në prapavijën e kundërshtarëve.

Irakli Dzaria – Kukësi / Skënderbeu e kishte shumë të vështirë të dilte në sulm dhe të krijonte diçka përballë Kukësit dhe për këtë meritë të madhe ka padyshim edhe mesfushori gjeorgjian që ndaloi gjithçka që në start. Ai ka marrë përsipër të jetë lideri i ri i mesfushës, në mungesë të Musollit dhe po ia del më së miri, duke zhvilluar një lojë shumë të mirë si në fazën e mbrojtjes, ashtu edhe në mbështetje të sulmit.

Masato Fukui – Kamza / Shumëkush e kritikonte se prej dy vitesh nuk është shfaqur lojtari i cili çuditi të gjithë në vitin e tij të parë në Shqipëri me Tiranën. Japonezi në këtë vit ka bërë edhe më mirë dhe me golin e tij të tretë, në vetëm 12 javë ka kaluar sezonin më të mirë realizues, atë me ngjyrat bardheblu. Këtë herë, goli solli edhe tre pikë shumë të rëndësishme për klubin.

Emanuel Mensah – Partizani / Driblon, gjuan, pason. Ndaj Teutës është ai që zgjon nga gjumi shokët e repartit në një ndeshje që dukej sikur po shkonte shumë keq për të kuqtë. Aksioni i golit të Asanit është për manual, ashtu si pasimi i tij për Asanin. Do ta kishte mbyllur ndeshjen me dy asist, por Hidi i mohoi Malës gëzimin e golit.

Sherif Kallaku – Teuta / Tifozët e Teutës ndoshta e kanë kuptuar këtë fundjavë se çfarë po humbin sa herë nuk shkojnë në stadium. Ai driblim ndaj tre lojtarëve të Partizanit vlen i vetëm çmimin e biletës, siç thuhet rëndom në këto raste. Rritja e jashtëzakonshme e lojtarit javë pas jave, premton që shfaqje të tilla do të ketë edhe në javët në vijim.

Bedri Greca – Tirana / Me të në fushë, Tirana transformohet në një skuadër e cila krijon vazhdimisht probleme ndaj çdo kundërshtari. Shpërthime, driblime, asistet e zakonshme e këtë radhë edhe goli, për të kthyer bardheblutë te fitorja e për t’i bërë të marrin frymë pak më qetësisht.

Jasir Asani – Partizani / E filloi sezonin mes kritikash se nuk shënon, por po gjen me shumë rregullsi rrjetën me të kuqtë, duke treguar se është një nga talentet më premtues të futbollit. Kalimi perfekt i topit mbi Hidin tregon se tani ka fituar qetësinë e duhur para portës kundërshtare dhe se premton shumë në pjesën e mbetur të sezonit.

Danilo Alvesh – Flamurtari / Ka vuajtur një dëmtim por kthehet në fushën e lojës pas një muaji sikur të mos kishte ndodhur asgjë, duke luajtur me një ritëm mbresëlënës edhe pse larg pozicionit të zakonshëm. Shënon gol, por edhe tenton një mrekulli me roveshatë të cilën me siguri do ta kishte kujtuar gjatë gjithë jetës. Mëkat që ia mohoi traversa, me atë që dha në fushë e meritonte, ashtu si edhe Europën të cilën e ndjek prej tre vitesh e nuk e ka shënuar ende. /vipsport.al/

more recommended stories