Protagoniste në ditën “historike” të Shqipërisë, sulmuesja fiton”Topin e Artë”

Ada Hegerberg është bërë sot fituesja e parë e trofeut ët “Topit të Artë” për femra, i cili do të jepet çdo edicion nga tani e tutje, për të vlerësuar edhe futbollin e femrave i cili ka filluar të bëhet gjithnjë e më i ndjekur në botë.

Sulmuesja norvegjeze ka shkëlqyer me përfaqësuesen e saj, por edhe me Olimpik Lion, me të cilin ka fituar në tre vitet e fundit Ligën e Kampioneve për femra. “Ky është një mesazh për të gjithë vajzat që e duan futbollin. Faleminderit që i dhatë mundësinë edhe futbollit të femra e të paraqitet në këtë skenë të rëndësishme”, tha dukshëm e emocionuar sulmuesja 23-vjeçare norvegjeze.

Hegerberg ka dhënë provën e talentit të saj edhe në Shqipëri, në fakt në ditën më të keqe të historisë së përfaqësueses shqiptare. Në shtatorin e vitit 2014, ajo ishte pjesë e skuadrës që mundi 11-0 vajzat kuqezi në “Niko Dovana” në Durrës, duke shënuar 2 gola në atë që mbetet humbja më e thellë në ndeshje zyrtare për përfaqësuesen shqiptare të femrave. /vipsport.al/