Njeriu që shënon në ndeshje të mëdha, Mustafi flet pasi ndëshkoi “Djajtë” e Murinjos

Shkodran Mustafi, mbrojtësi me origjinë shqiptare i Arsenalit, shënoi golin e parë në barazimin 2-2 mes Mançester Junajtid të Zhoze Murinjos dhe Arsenalit në “Old Trafford”.

Mbrojtësi i Gjermanisë arriti të shënojë me kokë në mesin e pjesës së parë, duke marrë edhe një “asist” nga një gabim i De Geas. Pas ndeshjes, Mustafi u shpreh se duhet të kishin fituar dhe të merrnin tre pikët, si dhe pranoi se mungesa e Granit Xhakës ishte diçka shumë e vështirë për skuadrën e Arsenalit.

“Kishim shumë shanse për të shënuar, bëmë aksione të mira dhe hodhëm shumë krosime në zonë, por ishim të pafat. Duhet të jemi më të kujdesshëm, pasi Junajtid na ndëshkoi në dy gabimet tona.

E rëndësishme për ne ishte të mos humbnim dhe të ruanim këtë ecuri prej të pamposhturish, por duhet të kishim fituar.

Sot (dje) u pa dhe mungesa e Granitit në fushë, pasi të gjithë e dimë sesa i rëndëishëm është ai për ne”.

Më pas, Mustafit iu kujtua se ka shënuar gjithmonë në ndeshjet e mëdha për Arsenalin dhe si mbrojtës që është, kjo është diçka për rekord.

“Po, kam shënuar kundër Totenhamit, që është gjithmonë një gol me vlera të mëdha.

Dhe tani kundër Junajtid, nuk mund të them që nuk jam i lumtur për këtë fakt, por fitorja për skuadrën kishte më shumë rëndësi, e jo këto shifra individuale”,- përfundoi mbrojtësi i “Topçinjve”.

Veronik Istrefaj – vipsport.al