Luftëtari drejt shpërbërjes, Malile: Po na nxjerrin futbollistët nga shtëpia, s’kemi para për transfertat

Kualifikimi historik që Luftëtari arriti sezonin e fundit në Ligën e Europës, ishte kulmi i një sezoni të jashtëzakonshëm, por sivjet Luftëtari po përballet me një krizë ekonomike dhe jo vetëm. Bluzinjtë nuk kanë gjendje ekonomike dhe futbollistët kanë disa muaj pa marrë rrogat, madje as nuk kanë ekonomi për të paguar hotelin, transfertat, autobusin apo edhe shtëpitë ku jetojnë futbollistët.

Në kushte të tilla, drejtori sportiv i Luftëtarit, Rigels Malile ka shkruar një letër të hapur në drejtim të aksionerëve të klubit, duke kërkuar që të ketë burim financiar për skuadrën, duke qenë se Luftëtari rrezikon shpërbërjen.

Letra e plotë:

“Drejtuar aksionerëve të K.F Luftëtari sh.a,
zotit Grigor Tavo,
zotit Bekim Halilaj,
zotit Vangjel Tavo.

Të nderuar zotërinj, ju shkruaj në cilësinë e aksionerëve të K.F Luftëtari për t’ju vënë në dijeni lidhur me gjendjen kritike që po kalon skuadra.

Aktualisht, mbi pesë futbollistë titullarë kanë kërkuar ndërprerjen e kontratës për shkak të detyrimeve të pashlyera. Rregullorja u jep të drejtën e zgjidhjes së kontratës, duke përfituar edhe pagat. Ata i janë drejtuar FSHF-së dhe në këtë moment skuadra është drejt shpërbërjes.

Situata financiare është në nivele alarmante jo vetëm për sa u përket pagave. Luftëtari rrezikon seriozisht vijimin e kampionatit. Në këtë moment që flasim nuk ka asnjë burim financiar, as për transportin dhe as për hotelet e dy takimeve të radhës që ekipi ka në transfertë.

Probleme të tjera emergjente janë edhe restoranti, i cili ka dhënë ultimatum për të mos shërbyer më për asnjë lojtar, nëse nuk paguhet. Ndërkohë, pronarët e shtëpive ku janë akomoduar futbollistët kërcënojnë me lënien jashtë të tyre, pasi kaloi data e qirave.

Këto janë problemet më emergjente, për të mos përmendur edhe detyrimet ndaj palëve të treta, të cilat rrezikojnë edhe pikët e skuadrës.

I gjendur në këtë situatë, ju drejtohem ju, për të gjetur zgjidhje, pasi situata është drejt kolapsit total. Kërkohet një ndërhyrje e menjëhershme për të shmangur shkatërrimin e skuadrës.

Me respekt drejtori sportiv,
Rigels Malile”, shkruhej në letrën publike të Maliles. /Erjon Allaraj-VipSport.al/