Ironike, Partizani dënohet me nenin e tifozëve që dhunuan lojtarët e Tiranës

Komisioni i Disiplinës, ka dhënë sot vendimet në lidhje me sjelljen e tifozerisë dhe klubeve në javën e 15 të Kategorisë Superiore. Sjellja e tifozëve të Partizanit, është cilësuar si e gabuar nga Disiplina, por çuditërisht asnjë pikë në bazën e së cilës është dënuar Partizani, nuk ka lidhje me vendimin që vetë Disiplina ka marrë.

Kështu, Partizani është dënuar në bazë të nenit 65/3/a dhe 66/1 e në sqarimin që bën Disiplina shkruhet: ‘FK “Partizani”, për sjellje të gabuar të tifozëve, hedhje të sendeve në fushën e lojës dhe përdorimin e mjeteve piroteknike,në bazë të Nenit 65/3/a dhe 66/1 të KDS, dënohet me 1 (një) ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës dhe gjobë në masën 200.000 (dyqindmijë) lek’.

Në fakt, neni 65/3/a nuk ka aspak lidhje me përdorimin e mjeteve piroteknike por realisht lidhet me hyrjen e personave të paautorizuar në fushë, ku në këtë rast janë tifozët. Si shembull, mund të merret ndeshja mes Tiranës dhe Kukësit, ku tifozët bardheblu pushtuan stadiumin në përfundim të takimit. Neni 65/3/a, që Disiplina e merr si neni për dënimin nga mjetet piroteknike, është krejt ndryshe. Në të shkruhet: “Në rastin e hyrjes brenda pjesës së rrethuar të fushës së lojës të ndonjë personi, pa shkaktuar akte të dhunës ose ndërprerje të lojës, ekipi përgjegjës për sigurinë në stadium do të penalizohet me zhvillimin e 1 (një) ndeshje pa spektatorë”.

Kështu, Komisioni i Disiplinës vazhdon të japë dënime në bazë të neneve, që nuk kanë lidhje me atë për ët cilën realisht klubet dënohen. Kujtojmë që Tirana, në ndeshjen ndaj Kukësit, për hyrjen e tifozëve në fushë u dënua në bazë të nenit 66/3/a që lidhet me hedhjen e mjeteve piroteknike në fushë. /VipSport.al/