FOTO/ Një kampionat që luhet kot, mësohen 4 skuadrat që shkojnë në Europë

Futbolli shqiptar nuk është në nivelet që pritej dhe në fakt, nuk po kalon një moment të mirë për shkak të borxheve të shumta që kanë klubet kundrejt Drejtorisë së Tatimeve. Nëse mendoni se borxhet dhe vështirësitë ekonomike janë vetëm në Kategorinë e Parë apo të Dytë, gaboni, sepse edhe Superiorja po përballet me një situatë kaotike, duke qenë se shumë skuadra janë me borxhe.

Kështu, në një raport të publikuar pak orë më parë, rezulton se Kastrioti, Tirana, Flamurtari, Kamza e Luftëtari janë në listën e debitorëve karshi tatimeve. Në kushte të tilla, për ta është e pamundur që të luajnë në Kupat e Europës duke qenë se nuk mund të marrin licencimet.

Praktikisht, në Kategorinë Superiore po luhet vetëm për titullin kampion, duke qenë se skuadrat që mund të luajnë në Europë, tashmë janë të përcaktuara. Partizani, Kukësi, Teuta, Laçi dhe Skënderbeu janë ekipet e vetme që nuk rezultojnë debitore, por korçarët duke ditur dënimin nga UEFA (deri në një vendim të dytë nga KAS), nuk mund të luajnë në Europë. Kështu, sido që të përfundojë renditja, 4 skuadrat që do të luajnë në Europë janë pikërisht Kukësi, Teuta, Partizani dhe Laçi, ku të gjitha do të diskutojnë se kush zë një vend në Ligën e Kampionëve.

Kujtojmë që edhe gara [për mbijetesë, mund të shkatërrohet pa u mbyllur kampionati pasi shumë futbollistë kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga klubet ku po luajnë dhe për pasojë, mund të çojnë në shpërbërjen e skuadrave. Gjithmonë, nëse gjërat vazhdojnë të ecin drejt kësaj rruge të errët. /Erjon Allaraj-VipSprot.al/