Episodi Ronaldo-Iuliano, arbitri: As ‘VAR’ nuk më ndryshon mendim, ndërhyrje dhe nga trajnerët

Ndër vite, ndeshja mes Interit dhe Juventusit në kampionatin italian është shoqëruar me polemika të shumta, si para ashtu edhe pas ndeshjes. Pavarësisht episodeve të shumta që ka çdo takim mes këtyre dy skuadrave, kujtimi më i famshëm mbetet episodi mes Ronaldos dhe Iulianos, ku ish-trajneri i Partizanit ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Ronaldos dhe arbitri Piero Çekarini nuk e akordoi penallti, ndërkohë që 1 minutë më vonë e akordoi për Juventusin.

Edhe sot, pasi kanë kaluar 20 vjet nga ai episod, ish-gjyqtari Çekarini është shprehur në një intervistë për mediat italiane, se as me sistemin ‘VAR’ nuk do ta akordonte penallti duke qenë se edhe vetë komentatorët nuk e kanë parë si të tillë. Sakaq, ai ka përmendur edhe një risi që pritet të hyjë në futboll shumë shpejt dhe që lidhet me trajnerët.

‘VAR? Ka probleme që duhet të zgjidhen, sektori i arbitrazhit ende nuk i ka zgjidhur ato dhe duhet të nxitojë. Unë mbroj ata që janë në fushë dhe ata duhet të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre sa më mirë. Unë e kam thënë në disa raste edhe pse ndoshta dikush nuk më dëgjon. Në atë kohë, në komentim kanë qenë Kolovati dhe Kieza, të cilët sapo panë rastin thanë se nuk ishte penallti.

Unë kam qenë i sigurt dhe madje edhe sot jam ende i bindur për zgjedhjen time. Nëse në VAR do ishin Kolovati dhe Kieza, nuk do ta kishin konsideruar penallti dhe nuk do të më kishin thirrur në kufje. Ronaldo shkon në drejtim të Iulianos. Nëse është e kundërta për ju, më thoni.

Komunikimet në futbolli si në regbi? Futbolli është pak më ndryshe nga këndvështrimi mediatik. Ndonjëherë një fjalë ose një gjysmë fjale interpretohet ndryshe. Jam i bindur se herët a vonë do të vijmë në një kërkesë që edhe trajnerët të kenë të drejtën të kërkojnë që aksioni të ndiqet në VAR”, u shpreh Çekarini. /Erjon Allaraj-VipSport.al/