Durmishaj përfaqëson dhe shënon për Greqinë, e kualifikon në Botëror

Fiorin Durmishaj ka qenë protagonist në kualifikimin e Greqisë në Botërorin 2019. Sigurisht, jo atë të ekipeve kombëtare që jemi mësuar të shohim zakonisht, por në Kampionatin Botëror të Ushtrive të vendeve të ndryshme. Duke shfrytëzuar faktin se Durmishaj e shumë futbollistë të tjerë kërkojnë të pajisen me pasaportën greke, ushtria e këtij vendi i ka grumbulluar me ekipin e kombëtar për kualifikueset e Botërorit dhe falë sukseseve ndaj Holandës e Gjermanisë, ka prerë biletën për turneun që do të luhet në Kinë.

Durmishaj e luajti ndeshjen e djeshme kundër Gjermanisë, ku u vulos kualifikimi, si zëvendësues. Ai hyri në lojë në pjesën e dytë të takimit, duke zëvendësuar një tjetër shqiptar, Zani Kurtin, ndërsa gjeti rrugën e rrjetës shumë shpejt pas një aksioni ku dribloi edhe portierin kundërshtar për të çuar shifrat përkohësisht në 2-0, ndërsa më pas ndeshja u mbyll 2-1.

Kësisoj, Durmishaj vazhdon të kryejë “detyrën” ndaj Greqisë, ndërsa pritet që në muajt në vijim të pajiset me pasaportën greke. Pritet të mësohet nëse pas pajisjes me pasaportën greke ai do të vazhdojë të dëshirojë të luajë me Shqipërinë apo do të përfaqësojë Greqinë e cila i ka “shkelur syrin” disa herë sulmuesit të talentuar. /vipsport.al/