Cungu për pagesat dhe premiot: Nuk ka ‘çështje Rexhinaldo’, më mungojnë shumë ‘Radas’

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu ka dalë sot para mediave në vigjilje të takimit të javës së 16 të superiores, mes Kukësit dhe Skënderbeut. Tekniku shkodran është shprehur se skuadra e tij do të synojnë të marrë vetëm fitore në këtë takim dhe se në skuadër nuk ka një çështje Rexhinaldo. Sakaq, ai ka folur edhe për gjendjen e futbollistëve dhe problemet ekonomike në Superiore.

“Ndeshja me Skënderbeun? Ndeshemi me një rival direkt për titullin kampion. Pavarësisht ndeshjes së parë që nuk shkoi në rezultat siç duhet por jo në lojë, shpresoj që nesër t’i kthejmë reston Korçës pasi është objektiv në çdo ndeshje. Kemi shqetësime të vogla si vazhdimisht që nga fillimi i sezonit dhe them që kur një ekip ka 25 lojtarë, të gjithë stërviten njëlloj dhe të gjithë do të kenë mundësi. Ekipi po kalon një moment të mirë dhe shpresoj të vazhdojë nesër.

Çështje Rexhinaldo? Nuk ka asgjë për ta bërë situatë. Ka pasur një shqetësim muskulor dhe për këtë arsye ka qëndruar më vete. Nuk më pëlqeu që sot ka qenë në gazetë dhe i kemi dhënë leje për të qenë te fëmija kur lindi. Ai vetë ka dashur të vijë në Shqipëri dhe nesër do të shohim nëse do ët jetë ose jo në gjendje të mirë fizike. Unë si trajner them që sportisti ka pasur një shqetësim që kur u kthye me Kombëtaren dhe është stërvitur në maksimumin e tij. Nuk ka problematika serioze. Ka luajtur në Kamzë në një terren të rënduar. I janë bërë ekzaminimet dhe ka diçka të lehët që mund ta ketë pasur më para dhe duke qenë sulmues kryesor, mbrojtja e sulmon më shumë. Nuk ka gjë serioze. Mjekët e kanë ndjekur vazhdimisht gjendjen e tij dhe nesër do të shohim nëse luan ose jo. Gjithkush ka vendin e vet dhe momentin e vet. Futbolli luan në grup, dhe kështu është Kukësi. Edhe nëse nuk luan Rexhinaldo, ka futbollistë të tjerë që mund të japin maksimumin.

Vlera e ndeshjes? Gjithmonë themi që ka kohë, po sa më shumë ndeshje kalojnë aq më shumë pikë duhen. Ndeshja me Skënderbeun është ‘derbi’ dhe duhet marrë maksimumi dhe po japim maksimumin në stërvitje.

Gjendja e skuadrës? Skënderbeut i mungon Radas, ndërsa neve shumë Radas që kur kam ardhur. Shameti është rikthyer dhe nesër është në fushë. Rrumbullaku është rikuperuar dhe është i rëndësishëm e do të jetë në fokusin tim maksimal por nuk ka luajtur rreth 3 muaj. Ka koncept të gabuar kur kthehen futbollistët nga dëmtimi. Është ndryshe forma fizike me formën sportive, pasi atij i duhen minuta për t’u adoptuar dhe nuk duhet të gabojmë si herën e parë që e dëmtuam direkt pas rikthimit. Edhe Shkodra ka problem nga ndeshja me Kamzën, pasi ka marrë goditje në kofshë. Edhe unë kam marrë dhe janë dhimbje të mëdha dhe besoj se pas 5 ditësh nuk shfaq shumë problem. U stërvit edhe në Gjirokastër dhe e pashë që ka dëmtime. Sot do ta shoh për të marrë vendimin e duhur.

Tifozët në Kamëz? Me shumë respekt për Skënderbeun dhe çfarë ka bërë, unë nuk i druhem asnjë kundërshtari dhe as djemtë. Dihet që nuk luajmë në fushën tonë dhe arsyeja që jemi në Kamëz janë tifozët pasi kemi pasur mbështetje. Falënderojmë atë mbështetje pasi janë shtysë për sportistët. Nuk na favorizon shumë terreni dhe Kukësi është një ekip që luan futboll. Nuk jemi ekip që duam veç rezultat dhe të largojmë topin. Duam të jemi dëfryes në fushën e lojë dhe mendoj se po e bëjmë mirë.

Musolli? Unë kam qenë në stërvitje dhe nuk kam pasur asnjë lloj informacioni, madje kisha habi. Unë kam thënë atë që kanë shprehur drejtuesit dhe se në tavolinë është lënë gjithçka e hapur dhe këtë mund të them unë. Kjo la shkak për rikthimin e Musollit dhe të dy ishin shumë dakord, si Musolli ashtu dhe klubi. Musolli është emblemë e Kukësit dhe kudo që kam qenë trajner kundërshtar i Kukësit, Musolli ka qenë fokusi im. Shpresoj që në janar të jetë pjesë e skuadrës dhe të bashkohet në stërvitje e sa më shpejtë ta shohim në fushë.

Ndikim në rikthim? Unë them në mënyrë zyrtare se kur kam ardhur me vonesë nga stërvitja për shkak të trafikut dhe nuk kam pasur mundësi të kontaktoj. Vetë futbollisti ka kërkuar një zgjidhje për riaftësimin dhe gjithçka është bërë mes presidentit dhe futbollistit. Mendoj se është lënë bisedë e ngrohtë dhe dashamirësi mes palëve.

Problemet ekonomike? Gara ndikohet shumë por fatkeqësisht është bërë modë. Çdo klub kavallet e veta dhe nuk dua të merrem me to. Te Kukësi ka pasur korrektësi në pagesa dhe premio, por në 2-3 raste nuk kemi qenë ne në gjendje të marrim premion. Duhet të kuptojmë diçka, pasi në kriza ekonomike ku nuk janë vetëm në Shqipëri, ne pretendojmë që të marrim rroga në minutë të saktë në ditë të saktë, por te Kukësi nuk ka problematika të tilla”, u shpreh Cungu. /Erjon Allaraj-VipSport.al/