Zyrtare/ Kukësi nis me spastrimet, largohet sulmuesi i ardhur në verë

Merkatoja e verës ka qenë shumë aktive për Kukësin, ku në skuadër u afruan shumë lojtarë të rinj, por që deri më tani ende nuk kanë arritur të japin rezultatet që priteshin. Për pasojë, sot ka ardhur zyrtarizimi i largimit të një futbollisti nga skuadra.

Bëhet fjalë për sulmuesin Haris Harba i cili u bashkua me verilindorët gjatë merkatos së verës dhe shihej si një nga futbollistët që mund të zëvendësonte Sindrit Gurin, por paraqitjet e tij kanë lënë shumë për të dëshiruar. Lajm iu bë i ditur nga vetë faqja zyrtare e klubit të Kukësit, në rrjetin social “Facebook”.

“Futboll Klub Kukësi zyrtarizon mbylljen e bashkëpunimit me Haris Harban. Sulmuesi ka ndërprerë me mirëkuptim marrëveshjen me Kukësin.

Boshnjaku, i cili u bashkua me ekipin tonë gjatë merkatos së verës regjistroi 11 aktivizime në të gjitha kompeticionet, duke realizuar 2 gola.

Klubi falënderon Haris Harban për kontributin e dhënë me fanellën tonë dhe i uron njëkohësisht suksese në karrierë”, shkruhej në njoftimin e klubit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/