Vllaznia nis bashkëpunimin me klube të huaja, vjen firma nga Katari

Vllaznia po kalon një moment të mirë në Kategorinë e Parë, duke kryesuar e vetme dhe po marshon e sigurt drejt Kategorisë Superiore, në mënyrë që t’i japë fund sa më shpejtë kësaj aventure në të parën.

Shkodranët kanë menduar që të bashkëpunojnë me klube të huaja, në mënyrë që të ketë lehtësi në afrimin e futbollistëve që mund të ndihmojnë Vllazninë në përmbushjen e objektivave. Së fundmi, është firmosur një bashkëpunim nga Katari, me klubin e Muaitherit dhe këtë e ka arritur drejtori sportiv, Engin Firat.

“Në kuadrin e vijimit të punës për krijimin e marrëdhënieve të reja me klube të ndryshme, sot u bë realitet nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi në mes KF Vllaznia dhe “Muaither Club” të Katarit. Ajo është firmosur nga drejtori sportiv i klubit tonë, z. Engin Firat dhe drejtori i përgjithshëm i “Muaither Club”, z. Mahmud Al Mahmud. Një marrëveshje e tillë synon krijimin e marrëdhënieve të mira të bashkëpunimit midis dy klubeve, duke filluar nga ndeshjet e përbashkëta të ekipeve të para, realizimi i kampeve stërvitore të përbashkëta apo dhe pjesëmarrja në turne të ndryshme.

Po ashtu edhe për punën e përbashkëta me skuadrat e të rinjve si dhe ndihmën e njëra-tjetrës në periudha të ndryshme të transfertave të lojtarëve. Kjo marrëveshje do t’i shërbejë Klubit të Futbollit Vllaznia për krijimin e mundësive të reja të zhvillimit për klubin si në aspektin e përgatitjes së ekipit por dhe për tranfertat e lojtarëve”, shkruhej në njoftimin e klubit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

Nga e majta në të djathtë, z.Afif Hasan Afif, personi i kontaktit i KF Vllaznia në Katar, z.Mahmud Al Mahmud- drejtori i përgjithshëm I Muaither Club, drejtori sportiv i KF Vllaznia z.Engin Firat dhe z.Mubarak Ghanem Al Ali, anëtar i Bordit të klubit “Muaither”