VIDEO / Tha “nuk më kujtohet”, ja supergoli dhe si Gigs 20-vjeçar masakroi Shulkun e Kolën

Rajan Gigs u tregua i sjellshëm në konferencën e sotme për shtyp kur tha se nuk kujtonte ndeshjen ku i kishte shënuar Shqipërisë në vitin 1994. “SI ka mundësi që nuk më kujtohet? Duhej të mbaja mend të paktën golin e Koleman”, tha ai duke qeshur, Në fakt, Gigs duhet ta kujtojë mirë atë sfidë, pasi e bëri protagonist që në moshën 20-vjeçare me përfaqësuesen e vendit të tij, pasi shihej qartë talenti që kishte dhe la në hije një legjendë si Ian Rash.

Video e mëposhtme ka pjesë nga ajo ndeshje e luajtur në shtatorin e vitit 1994, ku në Kardif, Shqipëria dorëzohej para golave të Koleman dhe Gigs. Edhe goli i parë ishte meritë e Gigs, i cili harkoi nga këndi për mbrojtësin që mundi Foto Strakoshën me goditjen e tij që në minutën e 6.

Më pas, ishte Gigs që shënoi në pjesën e dytë me një goditje dënimi spektakolare, duke mposhtur edhe vetë Strakoshën. Por përtej golave, mesfushori uellsian ishte i pandalshëm në atë sfidë. Ai u mundua disa herë të gjente përsëri rrjetën, me Agustin Kolën e Ilir Shulkun që e kishin të pamundur t’i hiqnin topin nga këmbët, apo edhe me Vatën, Xhumbën e Kaçajn që thjesht mundoheshin ta mbanin sa më larg zonës kuqezi atë i cili brenda pak viteve do të kthehej në një nga yjet më të shndritshëm të futbollit botëror.

Ndaj me siguri që fjalët e Gigs sot ishin më shumë mirësjellje ndaj atyre që kishte pasur si kundërshtarë njëherë e një kohë në fushën e lojës, pasi paraqitje të tilla, vështirë se mund të harrohen, edhe nëse ke bërë më shumë se 700 ndeshje si profesionist në karrierë. /vipsport.al/