VIDEO / Modriç u mundua të bënte “spiunin” me Ramos, këtë herë nuk funksionoi

Luka Modriç dhe Serxhio Ramos njihen shumë mirë falë viteve që kanë bashkë në radhët e Real Madrid. Me siguri, gjatë kësaj kohe kroati e ka parë më qindra herë kapitenin e tij te madrilenët teksa gjuante penallti në stërvitje.

Ndaj kur Serxhio Ramos mori përsipër të godiste nga pika e bardhë në ndeshjen mes Kroacisë dhe Spanjës, futbollisti kroat mendoi t’i jepte një ndihmë më shumë portierit Kaliniç. Fantazisti i kroatëve iu afrua portierit dhe filloi ta këshillonte për mënyrën se si gjuante Ramos duke i thënë edhe të rrinte i qetë deri në momentin e fundit.

Por goditja e Ramos ishte perfekte. Portieri nga një anë, topi në anën tjetër, duke nuhatur ndoshta që Modriç kishte këshilluar gardianin të hidhej në të majtë të tij, ku Ramos gjuan pjesën më të madhe të penalltive. “Spiuni” nuk funksioni, por gjithsesi Modriç doli përsëri i lumtur nga fusha e lojës pas suksesit 3-2 të skuadrës të tij. /vipsport.al/